19.06.2024


Më datë 19 Qershor 2024, Drejtoria e Integrimit Evropian dhe Projekteve të Huaja, Bashkia Tiranë organizoi Ceremoninë e ndarjes së çmimeve të konkursit të Tiranës: Eko-Club “3R-të Refuzim –Ripërdorim-Riciklim” si një nismë e rëndësishme për të promovuar edukimin, ndërgjegjësimin dhe ndryshimin e sjelljes së fëmijëve dhe të rinjve në fushën e manaxhimit të mbetjeve.
12 nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të përgjithshme të qytetit të Tiranës u shpallën fitues respektivisht të çmimit të parë, të dytë dhe të tretë nga 40 nxënës që konkuruan me projekte, produkte të prodhuara me materiale të riciklueshme duke përdorur element të teknologjisë dhe inovacionit bazuar në parimet 3R-ve.
Z. Genci Kojdheli përshëndeti pjesëmarrësit dhe nxënësit si dhe i inkurajoi ata për t’i cuar përpara projektet e tyre duke i bërë ato të aplikueshme në terren. Z. Robert Girejko, drejtues i projektit “Kryeqytetet që bashkëpunojnë për sfidat e përbashkëta në menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme - Jerevan, Varshavë, Tiranë” përshëndeti aktivitetin, si dhe ndahu për pjesëmarrësit aktivitetet, rezultatet dhe sfidat e projektit në qytetet Jerevan, Varshavë dhe Tiranë.
Projektet u vlerësuan nga juria e përbërë nga Z.Genci Kojdheli Drejtor i Përgjithshëm, Bashkia Tiranë, Znj. Adela Krajka, Drejtoreshë e Integrimit Evropian dhe Projekteve të Huaja Bashkia Tiranë dhe Znj. Ornela Cuci, eksperte ndërkombëtare për manaxhimin e mbetjeve. Shkolla 9-vjeçare “Pjetër Budi” dhe Shkolla e mesme “Sami Frashëri u shallën fitues të cmimin të parë, çmimi i dytë u fitua nga: Shkolla 9- vjeçare “1 Qershori” dhe Shkolla e Mesme “Partizani” dhe çmimin e tretë shkoi për Shkollën 9-vjeçare “Ali Demi” dhe Shkollën e mesme “Qemal Stafa”.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve përkoi me konferencën përmbyllëse të projektit “Kryeqytetet që bashkëpunojnë për sfidat e përbashkëta në menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme - Jerevan, Varshavë, Tiranë” financuar nga Bashkimi Evropian.